Transmetuar më 01-03-2023, 10:53

PSG po "noton" në skandale. Pasi u mësua ankesa e një vajze ndaj Achraf Hakimi për një përdhunim të dyshuar, tri gjykata pariziene do të hetojnë rrëmbimin e dyshuar dhe torturën ku mund të jetë përfshirë Al Khelaifi. Kjo raportohet nga disa gazeta franceze, duke përfshirë "L’Équipe".

Procesi gjyqësor filloi kur Tayeb Benabderrahmane denoncoi se ishte rrëmbyer dhe torturuar në Katar në vitin 2020. Me dokumentet që zotëronte franko-algjeriani, shefi ekzekutiv i PSG-së mund të komprometohej rëndë, ndaj e rrëmbeu dhe torturoi.

Sipas asaj që biznesmeni deklaroi në polici, ai kaloi katër muaj i rrëmbyer dhe u lirua vetëm kur nënshkroi një marrëveshje konfidencialiteti në të cilën premtoi se nuk do të zbulonte asnjë informacion që mund të komprometonte Al Khelaifin.

Benabderrahmane, i cili zakonisht bën biznes në zonën e Katarit dhe ka punuar me Al Khelaifi, që është gjithashtu pronar i kanalit televiziv BeIN, mund të kishte në posedim të tij informacionin që presidenti i klubit parizian po negocionte shitjen e të drejtave të televizionit për Kupat e Botës 2026 dhe 2030, diçka që mund të ishte shkas në rrëmbimin e denoncuar nga biznesmeni.

Në prononcimet për "L’Équipe", avokatët e "viktimës" pranojnë se janë shumë të kënaqur që ankesa ka arritur të hapë një hetim: "Jemi shumë të lumtur që ankesa në këtë histori është më në fund objekt i një hetimi nga sistemi i drejtësisë franceze".