Transmetuar më 01-03-2023, 08:37

Ndërhyrja në kohë nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 6, duket se ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë zjarri në Tiranë.

Policia tha se vuri në pranga 2 persona që u përfshinë në konflikt dhe 1 tjetër që akuzohet se fshehu armën e zjarrit.

Ndërsa u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra me municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, thanë se pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në fshatin Pezë Helmës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prevention”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– N. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– E. B., 32 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– I. B., 60 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Pas ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i konfliktit për motive të dobëta mes shtetasit E. B. dhe shtetasit N. Sh., i cili mbante me vete armë zjarri.

Gjatë konfliktit fizik, shtetasit N. Sh. i ka rënë në tokë arma e zjarrit, të cilën e ka marrë shtetasi I. B. (babai i shtetasit E. B.) dhe e ka fshehur për të shmangur përgjegjësinë ligjore. /noa.al