Transmetuar më 01-03-2023, 08:02

GREQI – Të paktën 36 persona kanë vdekur dhe 85 të tjerë janë plagosur pas përplasjes kokë më kokë të dy trenave në Greqinë Veriore. Ndër të plagosurit, 25 vetë janë në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, pak para mesnate në Tempi pranë qytetit të Larisës, ku një tren me pasagjerë u përplas me një tren mallrash.

Treni i pasagjerëve, me 350 udhëtarë dhe 20 vetë personel, që kryente linjën Athinë – Selanik u nis në orën 19:22. Në udhëtim e sipër, doli nga shinat jashtë tunelit të Tempit në lartësinë e fshatit Evangelismos, pas përplasjes së rëndë me një tren tregtar që ndiqte linjën Selanik – Larisa.

Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 23:00 të së martës (22.00 shqiptare) dhe vagonët janë përfshirë nga flakët.

“Procesi i evakuimit po vazhdon dhe po kryhet në kushte shumë të vështira për shkak të fortësisë së përplasjes mes dy trenave”, tha një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës të Greqisë.

Të mbijetuarit thanë se disa pasagjerë u hodhën nga dritaret e vagonëve të trenit për shkak të përplasjes.

Vlerësimi i parë i shkaqeve të aksidentit i referohet një gabimi në menaxhimin e trafikut të trenave në kryqëzimin e Larisës.

Treni me pasagjerë po udhëtonte nga kryeqyteti Athinë, për në Selanik, që është qyteti i dytë më i madh i Greqisë. /noa.al