Transmetuar më 28-02-2023, 22:24

PERU- Policia në Peru bëri një zbulim të befasishëm kur kontrolloi një person, i cili po sillej çuditshëm në një zonë arkeologjike në Puno. BBC raporton se Policia gjeti brenda çantës së tij një mumje. Në momentin kur u kap, burri tha se ai e konsideronte mumjen "një lloj të dashure shpirtërore".

Eshtrat i kishte futur në çantë për t’ua treguar miqve të tij. Ai ka shpjeguar se “Juanita”, siç ia kishte vënë nofkën mumjes, e ka mbajtur në një kuti në dhomën e tij, pranë televizorit. Po ashtu, ai shtoi se ishte në pronësi të babait të tij, pa specifikuar se si kishte ardhur në posedim të babait të tij.

Ekspertët thanë se trupi ishte midis 600 dhe 800 vjeç dhe se ishte i një mashkulli të rritur dhe jo një gruaje, siç kishte supozuar burri.

Mashkulli i mumifikuar vlerësohet të ketë qenë më shumë se 45 vjeç në kohën e vdekjes së tij dhe ishte 1.51 m i gjatë, por po ashtu mumja ishte e mbështjellë me fasha në pozicionin e fetusit, stil tipik i shumë prej varrimeve parahispanike në zonë.

Burri që po transportonte mumjen dhe dy miqtë e tij, të cilët janë nga 23 deri në 26 vjeç, u arrestuan dhe po hetohen për krime të mundshme kundër trashëgimisë kulturore të Perusë./BBC

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd