Transmetuar më 28-02-2023, 13:00

Kanë shpërthyer polemikat e forta të tifozëve të Real Madridit kundër David Alaba. Mbështetësit e “Los Blancos” kanë hedhur hashtagun #alabaout, duke kërkuar madje edhe largimin e mbrojtësit të tyre.

Por çfarë ndodhi, që e përkeqësoi aq shumë raportin mes palëve, tifozëve madrilenë dhe mbrojtësit austriak? Dje ka qenë mbrëmja e ndarjes së çmimeve të më të mirëve të vitit 2022, organizuar nga FIFA, gjatë së cilës organi më i lartë i futbollit e ka shpallur Messin si “The Best”.

Pasi u zbuluan votat e lojtarëve, tifozët e Real Madridit u tërbuan, kur panë se preferenca e Alaba shkonte për Messin dhe jo shokun e tij të skuadrës, Benzema. Një zgjedhje që shkaktoi pakënaqësitë e mëdha të orëve të fundit.

Shpjegimi i Alaba mbi votën e tij për Messin nuk vonoi. Futbollisti i Real Madridit është shprehur në Instagram: "Kombëtarja e Austrisë voton si ekip për këtë çmim, jo ​​vetëm unë. Të gjithë në këshillin e ekipit mund të votojnë dhe kështu vendoset.

Të gjithë e dinë, veçanërisht Karim, sa shumë e admiroj. E kam thënë shpesh se për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë, është akoma i tillë, pa dyshim".