Transmetuar më 27-02-2023, 20:16

FIER- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, prezantoi ditën e djeshme me strukturat e degës së Fierit, kandidaten për kryetare të kësaj bashkie, Eriselda Zotaj Çelaj. Prezantimi u bë gjatë një takimi intuziast në selinë e degës së PD ku morën pjesë drejtues të strukturave të PD, kryetari degës Agron Kapllanaj si dhe deputetja e qarkut Fier, Eralda Tase Banaj. Alibeaj u ndal edhe tek çështja e vulës në PD, duke thënë:

‘Çështja e vulës nuk është çështje siglash, është çështje e ndarjes së mentalitetit, e mentaliteti brenda nesh është ndarë. Kush është këtu tek ne është këtu tek ne. Kush nuk është ka marrë arratinë për të qënë së bashku me të majtën edhe me pushtetin, edhe me Ilir Metën"-tha Alibeaj.

Në fjalën e tyre, Alibeaj, ashtu dhe deputetja Erlda Tase Bano, vlerësuan se kandidatura e Eriselda Zotaj Çelaj, është zgjidhja e duhur për bashkinë Fier.

Çelaj, është propozuar nga strukturat e PD dhe përzgjedhur nga kryesia për të garuar për bashkinë e Fierit. Ajo ka lindur, dhe jeton në Fier në një familje demokrate. Çelaj, ka studiuar dhe është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Departamenti Ekonomik, Dega “Kontabilitet-Finance, Titulli Kontabilist”.