Transmetuar më 27-02-2023, 13:34

Elbasan- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Tiranë. Dy vëllezër i presin rrugën Prokurorit të SPAK Behar Dibra.

Mësohet se prokurori i Prokurorisë së Posaçme ndodhej në Elbasan për hetimin e atentatit të dështuar, bashkë me një oficer të BKH-së dhe me shoferin e tyre.

Në momentin kur ata kanë qenë duke u larguar nga Elbasani, në afërsi të tunelit të Kërrabës, një makinë tjetër i ka prerë rrugën automjetit të tyre tip Honda.

Raportohet se në këtë automjet ndodheshin vëllezërit Orges dhe Emirjan Sina, 24 dhe 27 vjeç.

Në momentin kur vëllezërit i kanë prerë rrugën makinës ku ndodhej Dibra, ky i fundit dhe pasagjeri tjetër kanë nisur ta fotografojnë dhe t’i bëjnë video.

Më pas dy vëllezërit i janë afruar makinës së Dibrës, duke i kërkuar llogari përse ishin duke i filmuar. Në këtë moment, një prej vëllezërve ka nxjerrë një dokument, që tregonte se ishte pjesë e Policisë së Shtetit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Dibra duke nxjerrë dokumentin e SPAK-ut.

Pavarësisht kësaj, tensioni ka vazhduar deri në tentativë për tu përplasur fizikisht. Nga verifikimi ka rezultuar se dokumenti i Policisë ka qenë fals. Policia e Shtetit është duke i kërkuar Orges dhe Emirjan Sinën, të cilët kanë thyer edhe një postbllok të ngritur në Durrës për arrestimin e tyre.