Transmetuar më 27-02-2023, 09:04

Një moment i pritur nga 22 maji 2022, nga një ditë që nuk ishte aspak e parëndësishme nga pikëpamja e Milanit. Fitorja ndaj Sassuolos në ‘Mapei Stadium’ solli titullin e 19-të për ‘Djallin’, një tjetër trofe i fituar në karrierë nga Zlatan Ibrahimovic.

Suedezi luajti 18 minutat e fundit (plus kohën shtesë) të asaj ndeshjeje, e fundit para operacionit në gju, një opsion për të zgjidhur një herë e mirë problemin shekullor të gjurit, që i shkaktoi kaq shumë mundime.

Pavarësisht parashikimeve, Ibrahimovic nuk hoqi dorë nga beteja kundër vetes dhe dhimbjeve gjithnjë e më të shpeshta. Rehabilitim i gjatë dhe sërish besim në instrumentin e tij më të dashur, topin, ‘paradhomën’ e kthimit real në garat zyrtare pas 280 ditësh.

Momenti madhështor u konkretizua në minutën e 74-t të Milan-Atalanta. Me rezultatin 1-0 në favor të kuqezinjve, Pioli zëvendësoi Giroud me Ibrahimovic, i pritur nga publiku i tij me duartrokitje të mëdha.

Kjo e bëri sulmuesin e lindur më 1981 më të moshuarin, që luan një ndeshje të Serie A për Milanin në epokën e tri pikëve, si dhe lojtarin më të vjetër jashtë fushës ndonjëherë. “Faleminderit fansave që më japin forcë dhe motiv për të vazhduar, më kanë munguar shumë, – tha Ibrahimovic për ‘DAZN’.

– Ndihem mirë, më në fund sonte u ndjeva i lirë të bëja atë që dua. Kam vuajtur shumë, gjashtë muajt e fundit të sezonit të kaluar nuk munda të luaja ashtu siç doja. Mund të kisha bërë operacionin gjashtë muaj më parë, por i kaluari ishte sezoni ynë dhe në fund fituam. Nuk kam vuajtur kurrë aq shumë sa për atë trofe. Vdekja e Mino Raiola më goditi fort në planin psikologjik.

Kur jam mirë, jam më i forti nga të gjithë. Mund të ndihmoj më shumë se sonte. Po përmirësohem nga stërvitja në stërvitje. Sonte m’u duk sikur nuk kishte kaluar gjithë ajo kohë. Nëse nuk i vendos vetes synime, relaksohem dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

Dua t’iu bëj konkurrencë kolegëve të mi, përndryshe nuk mund të qëndroj këtu. Nëse mendoj të luaj vetëm minutat e fundit, atëherë është më mirë të qëndroj në shtëpi. Dua të luaj gjithë ndeshjen.

Në muajt e parë të dëmtimit preferova të rrija larg skuadrës, zgjodha të rikuperohesha nga distanca. Rinovimi i Leão? E ul rrogën time për t’i dhënë diçka më shumë atij. E do edhe shtëpinë time?”