Transmetuar më 26-02-2023, 12:49

ITALI- Të paktën 40 emigrantë janë gjetur të mbytur mëngjesin e sotëm në Itali. RaiNews shkruan se trupat e pajetë janë gjetur pas përmbytjes së një anijeje të mbingarkuar me emigrantë. Deti i ‘trazuar’ me dallgë të mëdha u bë shkak i përmbysjes së anijes, e cila mbante numër të madh emigrantësh.

Bilanci i parë është të paktën 40 emigrantë të vdekur, por numri përfundimtar i viktimave rrezikon të përkeqësohet pasi numri i personave të pranishëm në varkë në momentin e fundosjes ishte 180. Për momentin janë rreth 50 persona të shpëtuar por kërkimi për të mbijetuar vazhdon. Mes viktimave, një djalë 7-vjeçar, një tjetër 3-vjeçar dhe një i porsalindur.

Shumë njerëz janë ende të zhdukur. Forcat e policisë po përpiqen të mbledhin dëshmitë e të mbijetuarve për të kuptuar se sa persona ndodheshin në skafin e mbytur. Kapiteneria e Portit dhe Guardia di Finanza kanë ndërhyrë në vend për shpëtimin, ku të pranishëm janë edhe policia e shtetit dhe karabinierët së bashku me personelin e 118 dhe Kryqit të Kuq.