Transmetuar më 25-02-2023, 11:27

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli në konferencën për shtyp në prag të derbit të La Liga-s kundër Atletico Madridit: "Jemi mirë, do të luajmë një ndeshje speciale. Atletico Madridi do të vijë të provojë dhe të fitojë. Do të jetë sfidë e vërtetë”.

A e kuptoni se në 25 vitet e fundit, Real Madridi ka fituar pothuajse të njëjtin numër Ligash të Kampionëve dhe La liga-sh?

Ne e dimë se sa e rëndësishme është Liga e Kampionëve për këtë klub, por kjo nuk do të thotë se nuk do të luftojmë për të fituar edhe kampionatin spanjoll. Do ta vendosim të gjithë energjinë tonë në të, pastaj nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në fund të La Liga-s.

Nacho transmeton mundësinë e një lamtumire…

Nuk e di se çfarë do të ndodhë, ndoshta ne të dy do të jemi këtu. Sigurisht, do të doja të vazhdoja ta shihja në Valdebebas dhe jo në TV. E shoh çdo ditë, ai ka kaluar periudha të vështira. Nuk është e lehtë, por duhet të vazhdojë të punojë pa u ankuar dhe me profesionalizëm. Kur kisha nevojë për të, ai ishte gati, kjo duhet të vlejë për çdo lojtar. Sidoqoftë, nuk jam këtu për individin, por për ta bërë Real Madridin të fitojë. Natyrisht, më vjen keq që i shoh disa nga ekipi im të palumtur. Në derbi, gjithsesi, Nacho do të luajë si mbrojtës i majtë.

Cili është sekreti i Vinicius?

Ai nuk lëndohet kurrë, është një gjë e rrallë, ka gjenetikë spektakolare. Kjo falë prindërve të tij, por edhe për shkak të profesionalizmit në stërvitje dhe regjim sportiv. Ai kujdeset shumë për veten, është shumë i fokusuar në punën e tij.

Çfarë mund të mësojë Simeone prej jush?

Do të doja të kaloja kohë me të, ai e do futbollin po aq sa unë. Sinqerisht, nuk mendoj se ka asgjë për të mësuar, por duke kaluar kohë së bashku mund të njihemi me punën e njëri-tjetrit. Për shembull, unë do të doja të di se si po përgatitet për këtë derbi.

Çfarë e ardhmeje e pret Carlo Ancelottin?

Mendoj se do të vazhdoj të jem trajner i Realit. Jam mjaft i qetë, kam një kontratë (e cila skadon në qershor 2024) dhe tani kam vetëm një gjë për të bërë: të fitoj ndeshje.

Cili është mendimi juaj për largimin e Sergio Ramos nga kombëtarja spanjolle?

Nëse një lojtar është i aftë, nuk ka rëndësi mosha e tij. Të jesh 17 vjeç nuk do të thotë detyrimisht të luash, nëse nuk e meriton. E njëjta gjë vlen edhe për ekstremin tjetër, ata që janë 35, 36 apo 37 vjeç. Kur hodha në fushë një portier 17-vjeçar, Buffon (te Parma), e bëra sepse ai ishte shumë i mirë. Dhe kështu ishte deri në moshën 40-vjeçare. E njëjta gjë për Maldinin. Në moshën 39-vjeçare stërvitej vetëm një herë në javë, por në fund luajti sepse ishte më i mirë se të tjerët.