Transmetuar më 24-02-2023, 18:40

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 40 vite burg në total katër të rinjtë e arrestuar nën akuzën e abuzimit seksual me të miturën në Kosovë, rast i ndodhur në 27 gusht të vitit të kaluar.

I arrestuari Ekrem Rexhepi, është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit dhe ndaj tij është caktuar dënimi me 15 vite burg.

Vëllai i tij, Gent Rexhepi, i mitur, është dënuar me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej nëntë (9) viteve.

I mituri Xhabir Salihu është shpallur fajtor për veprën penale Dhunimi dhe për veprën penale – Keqpërdorim i Fëmijëve në Pornografi dhe është dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej tetë (8) viteve.

I mituri Gentrit Jashari është shpallur fajtor për veprën penale Dhunimi dhe veprën penale – Keqpërdorimi i Fëmijëve në Pornografi dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej tetë (8) viteve.

Ndërsa i arrestuari, Shkëlqim Kameri u lirua nga akuzat.

Ngjarja e bërë publike vitin e kaluar, ngjalli reagime të shumta në Kosovë ku u organizuan protesta me kërkesë rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë në vend.