
Në një intervistë për ESPN, portieri i Aston Villa dhe i kombëtares argjentinase, Emiliano Martinez, iu rikthye Kupës së Botës që fitoi në Katar, dhjetorin e kaluar. Toni ulet disi në fjalët e tij, kur kujton gjestin shumë të kontestuar, gjatë marrjes së çmimit të portierit më të mirë të turneut.
"Ishte një gjë e trashë. Me të vërtetë është e vetmja gjë për të cilën nuk jam krenar nga ato që kam bërë në Katar", – pranoi Emiliano Martinez, duke treguar se është penduar për atë gjest.
Duke folur për fitoren ndaj Francës dhe më gjerë, portieri argjentinas shtoi: "Unë mendoj se Di Maria ishte lojtari më vendimtar në finale. Ai na dha suksesin edhe në ‘Maracana’, në finalen e ‘Copa America’. Edhe në ‘Wembley’ luajti një ndeshje të shkëlqyeshme kundër Italisë.
Gjatë Kupës së Botës kishte një lëndim, por në çdo rast që u aktivizua u tregua i fortë. Unë do t’i jem përjetësisht mirënjohës Angelito për mënyrën sesi luajti në finalen e Botërorit të Katarit".
Një pasazh edhe për të ardhmen e Messit: "Unë i thashë atij pas finales: Shpresoj që të mos jetë Botërori juaj i fundit. Atij iu desh shumë kohë për të fituar tituj me ekipin kombëtar dhe tani kemi fituar tri finale radhazi. Pse të mos vazhdojë të përpiqet të fitojë të tjerë?"