Transmetuar më 24-02-2023, 11:58

Tiranë- Zbardhet shkaku i vdekjes së 48-vjeçarit që u gjet i pajetë në datën 13 shkurt të këtij viti në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se viktima Elton Tahiri, ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar droga të forta, bashkë me shokun e tij, në banesën e këtij të fundit. Pikërisht shoku i tij ka hehdur trupin pranë përroit të Limuthit, për të humbur gjurmët.

Gjatë kontrollit në banesën e shokut, i identifikuar me inicialet M. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga ai, për transportimin e trupit të pajetë.

Policia informon se ‘specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë, pas ngjarjes së ndodhur në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë, ku u gjet një kufomë e seksit mashkull, më një dokument identifikimi me gjeneralitetet E. T., 48 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. T., 48 vjeç ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar lëndë narkotike kokainë dhe heroinë, bashkë me shokun e tij, shtetasin M. H., 47 vjeç, në banesën e këtij të fundit.

Më pas dyshohet se shtetasi M. H. e ka transportuar me automjet dhe e ka lënë trupin e pajetë të 48-vjeçarit, në afërsi të përroit të Limuthit, në fshatin Bërxull, Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga shtetasi M. H., për transportimin e trupit të pajetë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.