Transmetuar më 24-02-2023, 09:31

Bruno Fernandes beson se disiplina që Erik ten Hag ka futur te Manchester United ka qenë një nga ndryshimet më të mëdha të bëra, që kur trajneri holandez mori drejtimin në “Old Trafford”.

“Djajtë e Kuq” po shijojnë “ringjalljen” nën drejtimin e Ten Hag dhe mund t’i japin fund pritjes së tyre të gjatë për një trofe të dielën, kur do të përballen me Newcastle në finalen e “Carabao Cup”. Ky do të ishte përparim i jashtëzakonshëm, që holandezi ka bërë me skuadrën e tij në një kohë kaq të shkurtër.

Shumë gjëra kanë ndryshuar këtë sezon, por Bruno Fernandes beson se qasja jo e pakuptimtë e Ten Hag dhe mënyra sesi çdo lojtar trajtohet në mënyrë të drejtë, pavarësisht se çfarë emri të madh ka, është një nga më të rëndësishmet.

Në një intervistë me Rio Ferdinand, ai vuri në dukje se si Cristiano Ronaldo, Jadon Sancho dhe Marcus Rashford janë hequr të gjithë nga ekipi këtë sezon, kur nuk po përmbushnin standardet e trajnerit:

“Kur mbërriti fillimisht Ten Hag, ne shkuam në një turne. Pasi pa disa seanca stërvitore, ai kërkoi nga futbollistët që të bëjnë çfarë kërkon trajneri, ndryshe nuk do të luajnë. Të gjithë ishin pak dyshues në fillim.

Ne pyesnim njëri-tjetrin: Do ta bëjë këtë vërtet apo jo? Nëse një lojtar i madh nuk bën atë që dëshiron trajneri, do ta ulë në stol apo jo? Ten Hag e bëri atë, e bëri shumë herë. E tregoi me Cristiano Ronaldon, të cilin e bëri copash; e bëri me Jadon Sancho, me Marcus Rashford gjithashtu.

Në momentet e mëdha, kur Marcus ishte ndoshta në formën më të mirë kundër Wolves, ai bëri diçka të gabuar. Trajneri e uli atë në stol dhe të gjithë thanë ‘uaaa’. Rezultatet i dhanë të drejtë dhe tani gjërat janë të qarta e të prera për cilindo te Manchester United”.