Transmetuar më 24-02-2023, 07:35

UKRAINË- Mbushet sot 1 vit nga fillimi luftës në Ukrainë. Ishte mbrëmja e 23-24 shkurtit 2022 kur filloi pushtimi rus. Gjatë këtyre 365 ditëve të përgjakshme, gjërat kanë ndryshuar shumë por ukrainasit nuk janë dorëzuar. Një mesazh në këtë ditë e përcolli edhe Volodymyr Zelenskyy për përvjetorin e parë të luftës duke thënë me bindje se ky do të jetë viti i fitores.

"Më 24 shkurt, miliona prej nesh bëmë një zgjedhje. Jo flamuri i bardhë, por ai verdheblu. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe luftuar. Ka qenë një vit dhimbjeje, trishtimi, besimi dhe bashkimi. E dimë që viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Twitter.

Lëvizja agresive e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën në orët e para të 24 shkurtit 2022 e ktheu kohën pas, duke shkatërruar rendin botëror të pasluftës. Evropa po përjeton frikën e një përsëritjeje të Luftës së Dytë Botërore, SHBA dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut u detyruan të kthehen në "botën e vjetër" duke rishikuar prioritetet e tyre, superfuqive në zhvillim iu kërkua të zgjidhnin një anë.

Marrëdhëniet e vjetra të pushtetit u shembën, organizatat ndërkombëtare dhe rrjeti i tregtisë ndërkombëtare liberale u tronditën deri në themel, kostoja e jetesës u rrit në qiell dhe disa qytete pothuajse u "ngrinë" për shkak të krizës së frikshme energjetike. Inflacion i lartë, rritje masive të çmimeve të produkteve, por edhe anomalitë e paraqitura në zinxhirin e furnizimit janë vetëm disa nga efektet anësore të përditshme të konfliktit të përgjakshëm dymbëdhjetë mujor.