Transmetuar më 23-02-2023, 16:32

Është ekstraduar nga Abu Dhabi, i shumëkërkuari i prokurorisë së posaçme, i implikuar në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj, në mbikalimin e Shkozetit. Burime zyrtare të policisë thanë se bëhet fjalë për 39-vjecarin, i cili përdorte dy emra, Amar (Dritan) Shkëmbi.

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.

39-vjecari u shpall në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, në janar të këtij viti ku u arrestua për të njëjtën dosje edhe Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Marsel Decka, Endrit Sinani, dhe Juljan Pjetri.

Ndërkohë, Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe Julian Meçe janë shpallur në kërkim si organizatorë të atentatit.