Transmetuar më 23-02-2023, 15:09

Tiranë- Prokuroria e Tiranës mori dëshminë e një biznesmeni, i cili sipas deklaratave të vëllait të Alda Klosit, është personi i cili i ka dhënë atij borxh shumën prej 125 mijë eurosh.

Zonja Klosi, ish-zyrtare e lartë në Kryeministri, mbahet në paraburgim për akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë para oficerit gjyqësor, pasi Rozeta Dobi, pastruesja që punonte në shtëpinë e saj, e identifikoi ish-zyrtaren si pronaren e prej më shumë se gjysmë milioni eurove që u gjet në shtëpinë e saj.

Sipas prokurorisë, biznesmeni pranoi dhënien e borxhit dhe paraqiti një dokument me shkrim dore, të firmosur prej tij dhe vëllait të ish-zyrtares.

Por dëshmia e biznesmenit merret me rezerva nga hetuesit, përderisa paratë janë dhënë përmes një shkrese të thjeshtë dhe mes palëve nuk është firmosur një akt noterial. Dyshimet janë të mëdha edhe për faktin, se dy ditë përpara dëshmisë së vëllait, Alda Klosi në deklarimet e saj përpara oficerit të policisë gjyqësore, nuk e përmend fare çështjen e borxhit, por thotë se paratë janë të xhaxhait.