
“Barçagate” që përfshiu klubin e Joan Laporta rritet me kalimin e ditëve. Zbulimet e reja dhe dokumentet e mëtejshme po komprometojnë gjithnjë e më shumë presidentin e Barcelonës, i akuzuar ndër të tjera për korruptim të arbitrave në La Liga.
Dokumenti i fundit në këtë kuptim është një letër dërguar Barcelonës në dhjetor 2018 nga avokati i ish-arbitrit Negreira, zv.president i Komitetit të Arbitrave Spanjollë, me një kërkesë për rreth 300 mijë euro.
Dokumenti është publikuar nga “Mundo Deportivo”, e cila vazhdon të ketë akses në dokumente konfidenciale. Jose Maria Enriquez Negreira, ish-zëvendës president i gjyqtarëve spanjollë, kishte qenë në listën e pagave të Barcelonës që nga viti 2003 (e mundur që më 2001) përmes “Dasmil 95”, kompaninë e tij e cila ofroi zyrtarisht një shërbim konsulence për gjyqtarët aktivë. Në përgjithësi, klubi katalanas do të kishte paguar më shumë se 7 milionë euro në arkën e tij.
Letra e parë – Negreira ishte zv.president i arbitrave spanjollë deri në vitin 2018 dhe Barcelona, pasi humbi pozicionin lider, vendosi të prishë lidhjen me “Dasmil 95”. Diçka e pavlerësuar nga Negreira, i cili me letrën e parë të publikuar nga “Mundo Deportivo” kërcënon të bëjë publike marrëdhënien shumëvjeçare të punës.
Letra e re – Lajmi i publikuar nga gazeta ka të bëjë me një letër dërguar Barcelonës nga avokati i ish-arbitrit, para të parës në kohë, në të cilën “Dasnil 95” kërkon gati 300 mijë euro për periudhën qershor-dhjetor 2018, në të cilën Barça kishte vendosur të ndërpresë lidhjen. Në shkrim emrat e Laporta, Rosell dhe Bartomeu janë bërë të qartë për herë të parë.