Transmetuar më 23-02-2023, 08:23

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se vendi i tij do të nënshkruajë një kontratë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikaze.

Njoftimi i presidentit Vuçiç erdhi nga Abu Dhabi, ku ai mori pjesë në Ekspozitën dhe Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes (IDEX).

"Brenda 48 orëve do të nënshkruajmë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve të tyre kamikaze dhe ato shumë shpejt do të arrijnë në territorin e Republikës së Serbisë", tha Vuçiq.

Duke folur për eksportet e produkteve ushtarake të Serbisë, Vuçiç tha se 30 për qind e gjithçkaje të prodhuar në vend duhet të qëndrojë në Serbi.

"Ushtria dhe vendi ynë duhet të vijë e para. Të paktën 30 për qind e gjithçkaje të prodhuar në Serbi duhet të qëndrojë në Serbi. Ne mund të shesim vetëm atë që mund ta kursejmë.

Të gjithë duan të luftojnë. Të gjithë po përgatiten për luftë. Ushtria jonë ka një prioritet. Ne nuk kemi filluar asnjë luftë. Ne nuk do të shkojmë në luftë nëse nuk na sulmojnë dhe sa i përket armëve më shumë më intereson ushtria jonë dhe pastaj sa do të fitojmë", deklaroi Vuçiç.

Ai po ashtu tha se janë duke vazhduar negociatat me francezët për blerjen e avionëve luftarakë ‘Rafale’.

Ai shtoi se deri në fund të vitit do të modernizohen 40 tanke në dispozicion të forcave të armatosura.

Sipas presidentit serb, një përshkallëzim i konfliktit në Ukrainë do të komplikojë më tej pozicionin e Serbisë në kuptimin politik dhe ushtarak.