Transmetuar më 22-02-2023, 16:53

Një rast tjetër tragjik ndodhi në një lokal në lagjen Nea Jonia të Athinës, ku mbeti i vrarë një shtetas shqiptar i identifikuar si Pëllumb Islami 37-vjeç me profesion hidraulik.

Sipas dëshmitarëve thuhet se në një tavolinë ishin ulur 4 shqiptarë, më pas kanë arritur dhe 3 persona të tjerë gjithashtu shqiptarë.

Menjëherë mes tyre ka nisur një sherr me fjalë të rënda e më pas duke përdorur dhe armë të ftohta. Mediat greke raportuan se personat në fjalë ishin pjesë e një bande kriminale.

Në një moment gjaknxehtësie njëri nga personat ka nxjerrë një pistoletë dhe ka hapur zjarr dhe si pasojë plumbi ka kapur 37-vjeçarin në shpatull ndërkohë që ai po shikonte një ndeshje të Champions League me miqtë e tij në një tavolinë më tutje.

I riu është dërguar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Kjo ndodhi pak para mesnate dhe i riu vdiq në orën 03.00 të së mërkurës, raporton noa.al.

“Dëgjova 6-7 të shtëna ndaj dola jashtë. Ishte rrëmujë. E pashë viktimën të shtrirë përtokë. Dëgjova disa persona që thoshin “ik ik”. Më pas erdhi policia dhe autoambulanca dhe mori viktimën”, tha një dëshmitar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja dhe një automjet luksoz i tipit Kadillak i braktisur nga personat e përfshirë në ngjarje.