Transmetuar më 22-02-2023, 16:00

Kundër ish ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, është depozituar një padi e re në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, nga një gazetar.

Padia ka të bëjë me një vilë që dyshohet të jetë përfituar nga ish-ministri Ahmetaj në Hamallaj, gjiri i Lalzit, nëpërmjet bosit të inceneratorëve, Klodian Zoto.

Gazetari Adriatik Doçi tha sot për mediat se vila është porositur nga Klodian Zoto dhe tani është emër të bashkëjetueses së Ahmetajt, Eriola Hoxha. Ai tha se vila kap vlerën e 1 milion eurove.

Gazetari kërkon ndjekje penale nga SPAK për ish- zv. kryeministrin, i cili aktualisht është deputet në Kuvend, bashkëjetuesen e tij, Eriola Hoxha dhe ish-bashkëshorten, Albina Mançka.

“Të paditurit janë Arben Ahmetaj, ish-bashkëshortja e tij Albina Mançka dhe bashkëjetuesja Eriola Hoxha. Kallëzimi bazohet në disa fakte dhe prova të mbledhura nga unë, por dhe të publikuara nga emisioni Inside Story.

Ahmetaj ka përfituar një vilë nga Klodian Zoto. Këtë vilë e ka përfituar nga abuzimi me detyrë si ministër i Financave. Vila është porositur nga Klodian Zoto dhe sot është në emër të bashkëjetueses zyrtare të Ahmetajt, Eriola Hoxha.

Kemi të bëjmë me një ryshfet që kap vlerën e rreth 1 milion eurove. Vila ndodhet në zonën e Hamallajt. Vila është dhënë sepse Ahmetaj ka qenë finalizues i aferës së çështjes së inceneratorëve, ku ka firmosur në vitin 2014 dhe ka dhënë fondet më pas.

Klodian Zoto i ka kthyer reston dhe i ka dhënë një vilë në emër të një personi të besuar nga Ahmetaj”, tha Doçi për mediat, pasi depozitoi kallëzimin në SPAK.

Padia e plotë