Transmetuar më 23-02-2023, 08:05

Ish-futbollisti brazilian, Ronaldinho Gaúcho, ka bërë një vizitë shumë të veçantë në klubin Blaugrana pasditen e djeshme. Legjenda e futbollit brazilian ka dorëzuar në muzeun e ekipit katalanas "Topin e Artë" që fitoi në vitin 2005.

Ronaldinho u shpall lojtari më i mirë i edicionit 2005, me fanellën e Barçës. Sulmuesi brazilian ishte përpara anglezëve Frank Lampard dhe Steven Gerrard pas një viti, në të cilin ai fitoi Ligën Spanjolle dhe Kupën e Konfederatave me ekipin e tij.

"Topi i Artë" konsiderohet si çmimi më i madh individual i futbollit në botë. "France Football" e jep këtë çmim çdo vit që nga viti 1956. Kështu, Ronaldinho ishte futbollisti i tretë i kombësisë së tij që e fitoi këtë çmim, pas Ronaldos dhe Rivaldos.

Përveç kësaj, ish-lojtari karizmatik ka arsye të tjera për ta vizituar Barcelonën, pasi djali i tij Joao Mendes sapo ka nënshkruar për ekipin e të rinjve të Barçës.