Transmetuar më 22-02-2023, 08:38

GREQI- Zbardhen detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Greqi. Ai u qëllua brenda një lokali në zonën e Nea Jonisë, nga bashkëatdhetarët e tij, të cilët mundën që të arratiseshin. Viktima, i cili ka dhënë frymën e fundit në spital, nuk ka pasur asnjë dokument që vërteton identitetin e tij. Pamjet nga kamerat e sigurisë do të ndihmojnë policinë të kuptojë se si arritën në kafene dhe kur u larguan pas vrasjes autorët.

Një banor tha se u dëgjuan 5-6 të shtëna me armë, pak para se të vdiste, viktima ishte i shtrirë në tokë dhe po fliste me një vajzë. Ai tregoi se pas ngjarjes së rëndë situata ishte kaotike ndërsa rrëfeu momentin kur pa autorët të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.

“Dëgjova 6 apo 7 të shtëna, u hodha jashtë dhe pashë njerëz. Viktima ishte shtrirë dhe fliste me një vajzë. Dola jashtë, ishte kaos, e pashë njeriun të rënë. Një makinë është larguar me shpejtësi dhe i kanë bërtitur shoferit “ik, ik”, tha për protothema.gr një banor i zonës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në një lokal në Nea Joni, ku shqiptari mbeti i plagosur rëndë dhe më pas ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Gjithçka nisi kur një grup prej shtatë shqiptarësh kanë mbërritur në lokal dhe kanë nisur të debatojnë pa u ulur.

Më pas të shtatë dolën në rrugë jashtë lokalit dhe njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dhe plumbi ka kapur një klient, i cili ishte shqiptar, por nuk kishte lidhje me grupin. Ai ishte ulur për të parë ndeshjen. Për pasojë shqiptari mbeti i vdekur.