Transmetuar më 22-02-2023, 08:05

GREQI- Sherr masiv mes shqiptarëve në Greqi, vritet aksidentalisht një person që nuk kishte lidhje me përplasjen e armatosur.

Ngjarja ka ndodhur në orën 23:40 në një lokal në rrugën Kastamonis, në Nea Jonia, Athinë, ku një shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë, duke ndërruar jetë në spital.

Sipas informacioneve të mediave greke, gjithçka ka nisur kur një grup prej shtatë shqiptarësh kanë mbërritur në kafene dhe kanë nisur të debatojnë pa u ulur.

Më pas të shtatë dolën në rrugë jashtë kafenesë dhe njëri prej tyre ka nxjerrë armë zjarri dhe duke qëlluar.

Për pasojë, një tjetër shqiptar, i cili nuk kishte lidhje me grupin e bashkatdhetarëve të tij që u përleshën, mbeti i plagosur rëndë.

Pas plagosjes së shqiptarit, grupi prej 7 personash është zhdukur në drejtim të panjohur.

Oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje gjetën një Jeep që i përkiste njërit prej anëtarëve të grupit shqiptar.

Shqiptari i plagosur u dërgua në spital ku ndërroi jetë pak para orës 03:00 pasi kishte humbur shumë gjak.

Policia ka grumbulluar nga vendngjarja shtatë gëzhoja dhe një plumb të deformuar nga një pistoletë, ndërsa është vënë në kërkim të personit që ka qëlluar, pasi sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit.