Transmetuar më 21-02-2023, 14:20

Dani Alves, në një nga versionet e tij të ndryshme gjatë marrjes në pyetje, u paraqit si viktimë e 23-vjeçares që e ka denoncuar për përdhunim të dyshuar, të ndodhur natën e 30 dhjetorit në klubin e natës "Sutton", në Barcelonë.

Braziliani, i cili ndodhet në paraburgim prej 20 janarit, nga deklarimi se nuk e njihte fare ankuesen, u shfaq si viktimë e vajzës së re gjatë një deklarate para hestuesve.

Në versionin e tij të parë në komisariat, para "Mossos d’Esquadra", futbollisti siguroi se nuk e dinte se kush ishte 23-vjeçarja që e akuzoi për sulm seksual.

Më 23 janar, para gjyqtarit hetues, ai filloi duke thënë se nuk ka ndodhur asgjë, ndërsa gjatë pyetjeve nga Prokuroria tha se kishin kryqëzuar rrugët me të vetëm në banjën private të lokalit të natës. Më tej dha një version krejtësisht të ndryshëm.

Kur u gjend me "shpatulla pas murit" nga provat, të cilat nuk përputheshin me asnjë nga këto versione, Alves i dridhej zëri dhe u paraqit si viktimë e së resë në tualet, në zonën e VIP-ave. Sipas dëshmisë së tij, vajza ishte hedhur mbi të në banjë, kur ka qenë i ulur, duke kryer nevojat; ka kryer aktin seksual me të, sepse as ai nuk ka rezistuar dot.

Sipas këtyre fjalëve, vajza do të ishte agresori. “E vërteta është se unë doja ta mbroja këtë vajzë të re”, – tha futbollisti brazilian duke iu referuar denoncueses. Duhet mbajtur mend se pas këtyre deklaratave, ai ka dhënë edhe një version tjetër.

Dhe pikërisht avokati i tij, të enjten e kaluar, në seancën e apelit, tha se futbollisti brazilian pranoi që mes të dyve kishte pasur marrëdhënie seksuale, por në mënyrë konsensuale. Realiteti është se provat nuk mbështesin versionet e dhëna nga lojtari.

Pamjeve nga kamerat e diskotekës, ku shihet se ata ndanin dhomën private, iu shtohet edhe raporti mjeko-ligjor, i cili thotë se ADN-ja e gjetur brenda vaginës së "viktimës" përkon me atë të mostrave të dorëzuara nga futbollisti dhe mbetjet e mbledhura nga "Mossos d’Esquadra" në dyshemenë e banjës.