Transmetuar më 21-02-2023, 10:08

Buzëqeshja e Jurgen Klopp është ajo e çdo tifozi të dashuruar pas futbollit. “Kjo është Liverpool-Real Madrid, një ndeshje e mrekullueshme mes dy skuadrave të mëdha”, thotë trajneri gjerman, edhe nëse këtë herë është ndeshja e parë e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve dhe jo finalja, si qershori i kaluar.

Ndeshje të cilën trajneri i "Reds" rrëfen se nuk e kishte parë përsëri deri në fundjavën e kaluar: "Menjëherë e kuptova se luajtëm mirë dhe mund të kishim fituar, kështu që ishte një torturë e vërtetë ta shihja përsëri".

Në sallën e shtypit të "Anfield", që mirëpriste plot gazetarë, Klopp e nisi me shaka konferencën para sfidës me "Los Blancos": "Duhet të fillojmë të shesim bileta edhe për gazetarët". Një shaka me zyrtarin e tij të shtypit, para se të rrezatonte entuziazëm:

"Na pret një ndeshje e madhe, me shumë vështirësi, sepse sfidojmë një ekip plot me kampionë. Lojtarët e mi, pas një sezoni shumë të vështirë, më në fund po japin disa shenja zgjimi".

Lavdërimi i Klopp shkon para së gjithash për Carlo Ancelottin: “Ai është trajneri më i relaksuar, me të cilin jam përballur. Një nga njerëzit më të mirë që mund të takoni ndonjëherë, i mrekullueshëm dhe modest në të njëjtën kohë, super i zgjuar dhe i këndshëm. Menaxhimi i tij i lojtarëve është në një nivel krejtësisht të ndryshëm nga ne të tjerët.

E respektoj dhe e admiroj shumë. Ai është trajneri perfekt për një ekip plot kampionë, që ka shtuar lojtarë të rinj shumë të fortë. Në La Liga janë disa pikë prapa Barcelonës, por mbeten gjithmonë super konkurrues dhe të vështirë për t’u mposhtur. Ne duhet të përpiqemi, gjithsesi”.

Klopp nuk dëshiron vetëm të provojë, por edhe të ketë sukses: “Ne e dimë se duhet të luajmë dy super ndeshje për të pasur shanse kualifikimi. Dallimi është se Real Madridi mund të mos jetë duke luajtur në mënyrën më të mirë, por ka më tepër shanse. Disa nga lojtarët kundërshtarë e kanë fituar këtë kompeticion 5 herë. Normalisht ata mendojnë se janë mjeshtër, dhe ndoshta kanë të drejtë, por unë dua të përpiqem t’i mposht".

Për ta bërë këtë, Klopp do të ketë nevojë për Liverpool-in e tij më të mirë. Trajneri gjerman mund të mos ketë Darwin Nunez, në dyshim deri në fund, por e nis sërish nga dy fitoret e fundit me Everton dhe Nwcastle, ato në të cilat "Reds" kanë shfaqur "shkrepje" të vërteta, pikërisht ato që duheshin përpara kësaj supersfide Champions-i, që kërkon më shumë guxim:

“Katër javë më parë do të kishte qenë më e vështirë, por në jetë koha është gjithçka dhe ndoshta ne u kthyem në formë. I kemi fituar dy ndeshjet e fundit dhe duhet të ndërtojmë mbi këtë, por ende duhet të tregojmë se jemi vetvetja. Edhe ne e kemi perceptuar se diçka ka ndryshuar në dy ndeshjet e fundit, kjo e rrit shumë moralin, por nuk duhet të ndalemi me kaq.

Kundër Realit, megjithatë, do të doja Liverpool-in e vërtetë, sepse kjo është Liga e Kampionëve. Ju gjithmonë punoni shumë për të arritur në këtë pikë dhe tani që jeni këtu, duhet ta shijoni në maksimum. Sidomos kur luani Liverpool-Real Madridi, që është gjithmonë një ndeshje e veçantë”.