Transmetuar më 21-02-2023, 08:45

Adriano Leite rikthehet për të folur për jetën e tij skandaloze sentimentale. Ish-futbollisti brazilian, ish-sulmues i skuadrave si Inter, Flamengo dhe Parma, u nda nga Micaela Mesquita në fund të vitit të kaluar për ‘fajin’ e Botërorit, teksa vendosi të shikojë ndeshjen mes Zvicrës dhe Brazilit me miqtë, ndaj u zhduk plotësisht gjatë 48 orëve.

Kishin kaluar vetëm 24 ditë që të dy ishin martuar dhe e reja nuk hezitoi të kërkonte divorcin. Por ndarja zyrtare nuk arriti dhe Mesquita ka përfituar nga ditëlindja e ish-lojtarit për t’i kujtuar atij se duhet t’i dërgojë letrat menjëherë.

Adriano mbushi 41 vjeç dhe e festoi në mënyrën më të mirë, në bordin e një jahti, me shishe shampanjë të vlerës gati 3000 euro dhe në shoqërinë e një gruaje bukuroshe flokëkuqe të quajtur Raquel Bastos. Ajo, në atë kohë mohoi se ishte në lidhje me ish-lojtarin.

Edhe Adriano e cilësonte si “shoqe, me gjithë respektin”, por në foto ata shfaqen të përqafuar dhe kjo ka shkaktuar ironi të Mesquita. "Oh, sa bukur! Të uroj gjithë lumturinë në botë! Adriano, më dërgo letrat e divorcit”, – ka shkruar Micaela në rrjetet sociale.

Menjëherë pas kësaj, vetë Micaela ka dashur t’ia urojë ditëlindjen Adrianos, ndonëse e ka bërë në mënyrë kurioze: “Edhe kur jemi të ndarë, nuk e harroj kurrë ditën e sotme. Gëzuar ditëlindjen! Idiot, le të kesh gjithë lumturinë e botës. Edhe pse më ke lënduar, të uroj më të mirat”.

Ajo shkroi për këtë në Instagram, por përfundoi duke e fshirë menjëherë pas. Çifti u martua në nëntor të vitit të kaluar dhe një muaj më vonë u nda. Në Brazil siguruan ditë më vonë se e kishin rregulluar marrëdhënien, por natën e Vitit të Ri e kaluan secili më vete dhe duket se problemet kanë vazhduar edhe në janar.

Tashmë gjithçka tregon se divorci është vetëm çështje kohe, konkretisht koha që i duhet Adrianos për t’i dërguar letrat.