Transmetuar më 20-02-2023, 14:18

Pas fitimit të titullit kampion sezonin e kaluar me Milanin, një tjetër kënaqësi personale mbërrin për Stefano Piolin. Trajnerit të kuqezinjve iu dha sot çmimi “Pankina e Artë” për sezonin 2021-2022.

Trajneri me origjinë nga Parma e fitoi këtë çmim prestigjioz për futbollin italian me 33 vota nga 46 në total. Fitorja e “Scudetto” majin e kaluar ishte padyshim vendimtare për ta bërë të vetin këtë çmim.

Në podium, së bashku me Piolin janë Davide Nicola dhe Luciano Spalletti, të cilët kanë mbledhur respektivisht 4 dhe 3 vota. Trajneri i “Djallit” komentoi triumfin, duke ia dhënë meritat skuadrës së tij: nga lojtarët tek stafi teknik:

“Jam i emocionuar. Kur shoh se çfarë bëmë vitin e kaluar, emocionet ndihen ende. Dua ta ndaj këtë çmim me të gjithë njerëzit e veçantë që punojnë në Milanello, me stafin tim dhe mbi të gjitha me lojtarët e mi, sepse kam menduar gjithmonë, si këtë vit, se stërvis një grup special”.

Në vitin 2021 ishte Antonio Conte, ai që e fitoi çmimin në fjalë si kampion i Italisë me Interin. Conte ishte i pari që ndërpreu dominimin e Juventusit në fitimin e titullit të Serie A për 9 vite radhazi.