Transmetuar më 20-02-2023, 14:06

Etrit Berisha po kalon një situatë të pakëndshme në karrierën e tij. Fakti që nuk luan prej kohësh te Torino e ka alarmuar “gardianin” tonë kuqezi. Normalisht, kjo situatë prek drejtpërdrejt kombëtaren tonë para fillimit të fushatës eliminatore të “Euro 2024”, sepse prishtinasi konsiderohet zgjedhje e parë me fanellën kuqezi.

Sidoqoftë, duke ngrohur stolin në klubin e vet në Serie A, sigurisht që forma sportive lë për të dëshiruar. Me siguri, duke i parë gjërat në këtë këndvështrim, në funksion të eliminatoreve të Europianit, Berisha është revoltuar ndaj trajnerit të vet kroat te Torino.

Ai nuk ka pranuar rolin e portierit të dytë, pra të zëvendësuesit. Ka qenë vetë Ivan Juric, ai që e ka qartësuar situatën e portierit shqiptar, të cilin tashmë e ka nxjerrë jashtë planeve, duke e zbritur të tretin në hierarkitë e portës së Torinos:

"Berisha ka vështirësi të bëjë portierin e dytë. Stërvitet keq dhe kjo është e dëmshme. Kush nuk stërvitet mirë mbetet jashtë skuadrës sime”. Siç shpjegoi trajneri i “granatave”, portieri shqiptar nuk e pranoi rikthimin në rolin e të dytit, pasi pjesën finale të kampionatit të kaluar e jetoi si protagonist: “Vitin e kaluar dha një kontribut të madh, por tani e ka pasur të vështirë ta pranojë këtë situatë. Preferoj që ai të stërvitet veçmas dhe Gemello të bëjë të dytin”.

Ndeshja e fundit e shqiptarit daton nga fundi i sezonit të kaluar, ose ndeshja kundër Romës, më 20 maj. Arsyeja lidhet me një zgjedhje të thjeshtë teknike. Juric preferon Vanja Milinkovic-Savic, portierin serb si zgjedhje të parë, një fakt plus që e ka “nxjerrë nga shinat” shtatlartin e lindur në Prishtinë.