Transmetuar më 20-02-2023, 10:36

KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, të moshuarin Shefki Bylykbashin, pasi vrau pak ditë më parë djalin e tij, Hamdi Bylykbashin. Ngjarja u raportua si aksidentale mirëpo një ditë më pas, u zbulua se ishte vrasje. Në sallën e gjyqit, ai u shfaq kokëulur dhe shumë i nervozuar.

‘Jam i mbaruar. Më lini, ç’keni me mua?’- mësohet të ketë thënë brenda sallës së gjyqit i moshuari.

Krimi brenda familjes ndodhi në fshatin Zvezdë të Maliqit tre ditë më parë por vetëm dy ditë më parë u zbulua. I moshuari, Shefki Bylykbashi ka vrarë djalin me çekiç pas një grindje të lindur për shkak të konsumit të alkoolit. Familja e deklaroi ngjarjen si aksidentale por ekspertiza mjeko-ligjore provoi se Hamdi Bylykbashi ishte goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas policia arriti të zbardhte të vërtetën. 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi në gjendje të dehur ka debatuar shumë me të dy prindërit në oborrin e banesës së tyre, në qendër të fshatit.