Transmetuar më 20-02-2023, 10:31

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë një nga më pozitivet për shumë nga lojtarët e kombëtares shqiptare, që aktivizohen në kampionatet e ndryshme jashtë vendit. 7 gola, 1 asist dhe super paraqitje nga kuqezinjtë, të cilët po tregojnë formën e tyre të mirë javë pas jave në radhët e ekipeve të tyre.

Faqja zyrtare e FSHF-së në internet bën një rezyme se si performuan fundjavën e kaluar legjionarët tanë kuqezinj: "Giacomo Vrioni është kthyer protagonist në kampionatin amerikan, duke realizuar një dygolësh për skuadrën e tij, New England Revolution në sfidën përballë Orlando City. Sulmuesi kuqezi ka rigjetur momentin e tij më të mirë, duke zhvilluar një ndeshje fantastike e duke i dhënë fitoren me dy golat e tij ekipit të New England Revolution.

Nga ana tjetër, sulmuesi Sokol Cikalleshi duket se nuk ka ndër mend të ndalet. Futbollisti kuqezi që luan në radhët e Al-Khaleej në kampionatin e Arabisë Saudite realizoi një tjetër dopietë këtë fundjavë, duke arritur kështu në kuotën e 5 golave të shënuar që nga nisja e sezonit.

Edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares shqiptare, Arbnor Muçolli është rikthyer sërish protagonist në kampionatin danez. Muçolli shënoi golin e parë të sfidës në radhët e Veljes në përballjen kundër Amager. Djaloshi kuqezi u shpall ‘Lojtari i Ndeshjes’, teksa ka arritur në kuotën e 4 golave të shënuar në këtë edicion, ku ka dhënë edhe 3 asiste.

Edhe mesfushori shqiptar, Qazim Laçi po bëhet një element mjaft i rëndësishëm në radhët e ekipit çek të Sparta Pragës. Futbollisti shqiptar asistoi në golin e 3-të të skuadrës së tij, duke u kthyer kështu në protagonist në këtë fitore.

Sakaq, edhe dy kuqezinjtë e vegjël të ekipit të Shpresave, Medon Berisha dhe Eljon Toçi kanë lënë gjurmët e tyre këtë fundjavë në radhët e ekipeve të tyre. Me golin e tij në minutat shtesë të pjesës së dytë, Berisha i dha fitoren Leçes në takimin ndaj Sampdorias, duke arritur në kuotën e 8 golave në kampionat.

Edhe goli i Eljon Toçit ishte vendimtar për Fiorentinën në ndeshjen kundër Cagliari-t, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme. Ndërkaq, edhe futbollistët e tjerë të Kombëtares shqiptare kanë dhuruar paraqitje shumë të mira gjatë kësaj fundjave".