Transmetuar më 18-02-2023, 11:08

Qeveria italiane i ka kërkuar Brazilit të zbatojë dënimin me 9 vite burg ndaj ish-futbollistit të Milanit, Robinho, i dënuar për përdhunim. Informacioni u zbulua ekskluzivisht nga portali “Uol”, duke cituar urdhëresën.

Ministri i Drejtësisë Italiane, Carlo Nordio, e firmosi kërkesën më 24 janar dhe ia dërgoi qeverisë braziliane në rrugë diplomatike më 31 të po këtij muaji. Autoritetet italiane kërkojnë gjithashtu që të zbatohet dënimi ndaj Ricardo Falco, mikut të ish-sulmuesit të Milanit.

Të dy u dënuan në Itali për përdhunimin e një vajze të re shqiptare që ndodhi në Milano më 22 janar 2013. Nordio, siç raportohet nga “Uol”, – kërkon "që çështja t’i dorëzohet autoritetit gjyqësor kompetent brazilian.

Kjo, që të autorizojë, në përputhje me ligjin brazilian, ekzekutimin e dënimit me 9 vite burg të vendosur ndaj Robson de Souza me dënimin e Gjykatës së Milanos të 23 nëntorit 2017, i cili u bë i formës së prerë më 19 janar 2013”.

Më tej, qeveria italiane shpjegon se Ministria e Drejtësisë i kërkoi Brazilit të ekstradonte Robinhon dhe Falcon në shtator të vitit 2022, një kërkesë e refuzuar nëntorin e kaluar për shkak se neni 5 i Kushtetutës braziliane ndalon ekstradimin e shtetasve.