Transmetuar më 18-02-2023, 09:19

Anësori sulmues i Hatayspor nuk ia doli. Ai është ndër të vdekurit në tërmetin dramatik që goditi Turqinë dhe Sirinë ditët e fundit. Siç njoftoi agjenti i tij, trupi i pajetë u gjet në rrënoja.

Në fund rezultoi lajmi më i keq nga të gjithë, duke fshirë çdo copëz shprese mbijetese. Atsu vdiq në moshën 31-vjeçare. Trupi i pajetë i tij u nxor nga rrënojat e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, dhe në veçanti qytetin e Hatay.

Pas thashethemeve, fatkeqësisht të mohuara, në lidhje me zbulimin e tij, futbollisti ganez, i cili ndodhej në një hotel në momentin e tërmetit, ishte në mesin e shumë personave të zhdukur.

Fatih Ilek, menaxheri i Hatayspor, foli në mikrofonat e “Radyospor” duke zbuluar një sfond dramatik që ndodhi vetëm pak orë para tërmetit: "Christian kishte folur me trajnerin, duke e pyetur pak kohë para ndeshjes kundër Gaziantep: Nëse gjej një ekip, a mund të largohem?

Kërkesa u pranua edhe nga Volkan Demirel, trajneri i tij, ndaj Atsu nuk luajti kundër Gaziantep. Por më pas erdhi shfaqja e shkëlqyer me një gol ndaj Kasimpasa. Ai duhej të nisej për në Francë për t’u bashkuar me familjen, por kur luajti mirë dhe shënoi kundër Kasimpasa, e anuloi biletën e avionit për të festuar golin.

Tërmeti ndodhi në ditën e tij më të lumtur. Kishte planifikuar një fluturim në orën 23:00, por anuloi biletën. Më pas, në orën 4 të mëngjesit ra tërmeti dramatik. Një tragjedi”, – tha më tej Fatih Ilek, menaxheri i Hatayspor.