Transmetuar më 17-02-2023, 21:45

MEKSIKË- Ekipi meksikan i kërkim-shpëtimit që ndihmoi në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, është kthyer në vendin e vet. Por skuadra mbërriti në Meksikë pa qenin e shpëtimit, i cili humbi jetën gjatë kërkimeve.

Një ekuipazh prej 150 personash nga Kryqi i Kuq, anëtarë nga Ministria e Mbrojtjes, Marinës dhe Departamentit të Shtetit, zbarkuan në Aeroportin Ndërkombëtar, Felipe Angeles, ku u mbajt një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave të tërmetit, si dhe një minutë heshtje për qenin hero, Proteo.

Proteo, i cili ngordhi më 12 shkurt, u dërgua në Meksikë në një arkivol të mbështjellë me flamurin meksikan. Ekipet mbanin të veshura jelekë me foto të qenit. Trajneri Carlos Villeda, shpjegoi se vdekja e Proteos erdhi për shkak të pleqërisë, udhëtimit të gjatë në Turqi dhe motit të ftohtë.

Proteo ka shërbyer më parë në shumë vende, duke përfshirë Meksikën, Haitin, Ekuadorin dhe Guatemalën. Me mbërritjen në Turqi më 8 shkurt, Proteo ndihmoi në shpëtimin e 4 personave dhe gjetjen e 29 trupave për 7 ditë. Burimi: Dailysabah.com