Transmetuar më 17-02-2023, 18:35

Sofje- Ngjarje tragjike në Bullgari. 18 persona janë gjetur të vdekur brenda një kamioni.

Ministria e Brendshme e Bulgarisë njoftoi sot se kamioni po transportonte rreth 40 njerëz të fshehur në dërrasa. 18 prej tyre u gjetën të vdekur në kamionin e braktisur në afërsi të kryeqytetit Sofje, teksa vendi ballkanik përballet me një numër në rritje të kalimeve ilegale të kufirit.

“Automjeti po transportonte ilegalisht rreth 40 emigrante të fshehur mes drurëve, 18 prej të cilëve kanë vdekur”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Pasi vendasit njoftuan policinë, kamioni u gjet në fshatin Lokorsko, rreth 20km në verilindje të kryeqytetit. Disa emigrantë të gjetur të gjallë u dërguan për ndihmë në spital. Autoritetet nisën kërkimin për trafikantët që drejtonin kamionin, të cillët ishin larguar, thanë autoritetet. Ky është deri tani incidenti më i rëndë me emigrantët në Bullgari.

Vendi është anëtar në Bashkimin Evropian dhe ka ashpërsuar sigurinë për të ndaluar kalimet ilegale të kufirit.

Bullgaria ka ngritur gjithashtu një gardh me gjemba rreth 180 km të gjatë në kufirin e saj me Turqinë në lindje.

Vendi është përballur me akuza për abuzime me njerëzit që përpiqen të kalojnë kufirin nga Turqia, si për shembull arrestime, rrahje apo shkelje të tjera të të drejtave, thonë grupet monitoruese.