Transmetuar më 17-02-2023, 16:43

I shumëkërkuari për vrasjen e ish policit Santjago Malkos, Leonard Duka u arrestua në Belgjikë, mëngjesin e 14 shkurtit, pas informacioneve që policia shqiptare kishte siguruar në vendin tonë në rrugë operative për vendndodhjen e tij.

Burime nga grupi hetimor thanë, se prej ditësh, 37 vjeçari u mbajt nën vëzhgim në banesën që jetonte në një provincë të Brukselit. Ndërhyrja për ta prangosur u bë rreth orës 6 të mëngjesit.

Ai bashkëjetonte me një vajzë dhe në momentin e arrestimit, Dukës i është gjetur armë zjarri dhe një sasi parash. 37 vjeçari, mësohet se nuk ka bërë rezistencë.

Para se të arrestohej, në Belgjikë shkuan edhe një grup oficerësh shqiptarë të cilët mundën të shkëmbenin informacione të vlefshme për vendin se ku banonte Duka prej kohësh.

Në Belgjikë po verifikohen disa persona të tjerë për të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në klanin Duka dhe mund të kenë ndihmuar 37 vjeçarin për t’u fshehur.

Aktualisht mes autoriteteve të dy vendeve kanë nisur procedurar për ekstradimin e Leonard Dukës.

Prej tre vitesh ai ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe armëmbajtje pa leje, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ish-punonjësi i policisë Santiago Malko u vra mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Në atë kohë, ngjarja ndodhi në rrugën “Xhanfize Keko”.

Drejt makinës së 26-vjeçarit u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër makinë në lëvizje.

Vrasja e Malkos mendohet të ketë ndodhur për hakmarrje dhe përplasje mes bandash.

Për këtë atentat, me 25 vite burg Gjykata e Posaçme ka dënuar vititn e shkuar Blendi Tetën.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë vëllai i Leonard Dukës, Erlis Duka, si dhe bashkëpunëtorët Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora,

Si organizatorë, grupi hetimor dyshon se janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Në janar të këtij vitit, Gjykata e Posaçme nisi në mungesë procesin ndaj personave të shpallur në kërkim.