Transmetuar më 18-02-2023, 07:49

Ditën e djeshme u zhvillua në Gjykatën e Barcelonës seanca dëgjimore për të debatuar mbi lirimin ose jo e Dani Alves, në paraburgim që prej datës 20 janar, i akuzuar se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 23-vjeçare në klubin e natës "Sutton", në Barcelonë.

Pala mbrojtëse e brazilianit dhe prokuroria kanë paraqitur provat mbi ankesën e paraqitur nga avokati Cristóbal Martell. “Ka qenë një seancë e shpejtë, tre anëtarët e gjykatës iu kërkuan palëve që të mbanin qëndrimet përkatëse”, – shpjegoi Mayka Navarro para dyerve të gjykatës.

Krahas dhënies së provave, që i japin peshë ankesës së tij, avokati i Dani Alves ka siguruar se, megjithëse ka pasur penetrim vaginal natën e 30 dhjetorit në klubin e natës "Sutton", kjo ka ndodhur me pëlqimin e vajzës, në të kundërtën do të kishte lëndime në zonën gjenitale.

Në seancën dëgjimore, përveç kësaj, Martell ka prezantuar “dy raporte nga dy kompani që Alves hapi në Barcelonë, duke vërtetuar "nguljen" e tij në kryeqytetin katalanas dhe për rrjedhojë nuk ka rrezik ikje”.

Po ashtu, e njëjta mbrojtje është shprehur se versioni i "viktimës" së pretenduar paraqet “dyshime”, duke shtuar se pamjet nga kamerat e sigurisë nuk e vërtetojnë akuzën. Si Martell dhe Ester, dy avokatët e Dani Alves kanë siguruar se janë të kënaqur:

"Nëse Gjykata vepron kaq shpejt, tregon më shumë për faktin se vendimi do të jetë i favorshëm për lirinë e të akuzuarit, sepse është një e drejtë themelore. Gjykata, pasi i ka dëgjuar të dyja palët, tashmë e di se çfarë vendimi do të marrë.

Alves nuk duhet të kalojë më asnjë minutë në burg. Ka të ngjarë që shpejt ta dimë se cili është vendimi i gjykatës”, – thekson redaktori i "La Vanguardia".