Transmetuar më 17-02-2023, 13:54

RINAS- I mori identitetin shqiptarit dhe tentoi të largohej me pasaportë false, kapet turku në Rinas. U. Y., 24 vjeç nga Turqia është vënë në pranga në Rinas, teksa tentoi të kalonte kufirin me pasaportë false. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 24-vjeçari është kapur nga kontrollet teksa përpiqej të kalonte me një pasaportë me foton e tij dhe të dhënat e një shqiptari, me inicialet A.L.27-vjeçari shqiptar që dyshohet se ka ndihmuar turkun është shpallur në kërkim.

Njoftimi Rinas: Kontrolle të detajuara nga Policia Kufitare, për parandalimin e kalimit të kufirit, me dokumente false. Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë të falsifikuar, kapet në flagrancë nga Policia Kufitare dhe vihet në pranga 24-vjeçari (shtetas turk). Shpallet në kërkim një shtetas tjetër që tentoi të ndihmonte 24-vjeçarin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke e pajisur atë me pasaportë false dhe biletë udhëtimi.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasin turk U. Y.. Nga kontrolli i detajuar në vijën e dytë, këtij shtetasi i është gjetur një pasaportë sllovake e dyshuar e falsifikuar, me foton e tij dhe me gjeneralitetet A. L., si dhe një biletë udhëtimi me të dhënat e shtetasit A. L.

Nga veprimet hetimore dyshohet se biletën që iu gjet shtetasit U. Y., e kishte marrë te njësia e check-in-it, shtetasi A. L., me qëllim për ta ndihmuar shtetasin U. Y., që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit U. Y., 24 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 27 vjeç. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L. dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.