Transmetuar më 17-02-2023, 12:16

Tiranë- Zbardhen detaje nga dëshmia e ish-efektivit Jeton Lami që u vu në pranga pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se pak ditë më parë prokurori Bardhyl Shehu e ka pyetur atë në cilësinë e të pandehurit dhe i ka kërkuar të japë shpjegime në lidhje me rastin. Lami ka refuzuar të ketë dijeni për zhdukjen e tij dhe ka deklaruar se për herë të fundit e ka dërguar në Vorë, ku e ka lënë në një karburant.

"Ervis Martinajn e kam njohur 10 vite përpara. Me atë nuk kam pasur asnjë miqësi apo lidhje të ngushtë. Megjithatë tre ditë para se ta shoqëroja në Durrës, e kam takuar rastësisht tek një ambient te Zogu i Zi. Më ka kërkuar ta shoqëroja. E kam shoqëruar në drejtim të Durrësit dhe e kam dërguar në një hotel ku u takua me një mikeshën e tij. Të nesërmen kam shkuar sërish në Durrës, e kam marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i kam lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës. Aty sipas informacioneve që kisha Ervis Martinaj do të bënte disa takime. Në atë moment jam shkëputur me të dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të”, ka deklaruar për prokurorin ish-agjenti Jeton Lami.

Jeton Lami u arrestuar për shpërdorim detyre duke u akuzuar se ka ndihmuar Ervis Martinajn të lëvizte gjatë kohës që ishte në kërkim. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.