Transmetuar më 17-02-2023, 09:15

Trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag, mendon se skuadra e tij “do të duhej të shënonte të paktën katër gola”, pasi barazoi 2-2 kundër Barcelonës, në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it të Ligës së Evropës, në “Camp Nou”.

"Ne duhet t’i finalizojmë shanset, sepse në një lojë të këtyre karakteristikave kemi krijuar shumë raste. Nuk e prisja. Jam pak i frustruar në këtë drejtim", – shtoi trajneri i “Djajve të Kuq” në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Në çdo rast, ai nënvizoi se për të tijtë “është një rezultat pozitiv, ndaj ndihem i lumtur”. Trajneri holandez madje u mburr: “Kemi qenë dominantë ndaj skuadrës kryesore në Spanjë”.

Përveç kësaj, ai ishte shumë kritik me vendimin e arbitrit për të mos sinjalizuar gabimin e Jules Koundé kur Marcus Rashford shkoi drejt portës së Barcelonës, me rezultatin 1-2:

"Nuk e di nëse ka qenë brenda apo jashtë zonës, por të paktën ka qenë një karton i kuq. Ndoshta arbitri është ndikuar nga presioni i stadiumit në një ndeshje të nivelit të lartë".