Transmetuar më 17-02-2023, 16:00

Të paktën dy xhami në Londër kanë marrë letra islamofobike pas tërmeteve Turqi-Siri.

Autori i një letre të marrë nga Erkin Guney, kryetar i xhamisë Masjid Ramadan, në Hackney, shkruante se "nuk mund të ndaleshin së qeshuri" duke parë pamjet e katastrofës.

Erkin, baba i tre fëmijëve tha se ishte tmerruar pasi e lexoi letrën e ndyrë.

Tërmetet kanë marrë më shumë se 44,000 jetë dhe kanë bërë që disa qytete të rrafshohen, ndërsa mbi 100 mijë njerëz janë plagosur dhe qindra mijë të tjerë kanë mbetur në mes të katër rrugëve.

Letra anonime uronte "më shumë vdekje" duke thënë "sa më shumë myslimanë të vuajnë aq më mirë është".

Aty shkruhej edhe: "Nuk mund të ndaloja së qeshuri duke parë njerëzit që po nxirreshin nga rrënojat, disa të vdekur, disa të tjerë fatkeqësisht ende gjallë."

Autori shpreh me ironi, "ngushëllim" për lajmet mbi familje të tëra të vdekura në katastrofë, duke uruar për një tjetër tërmet në rajon.

Guney tha se në rreshtin e parë të letrës fyese përmendej "dhimbja", duke shtuar: "Vetëm kur lexova rreshtin e dytë, u ndala dhe kuptova se ishte një mesazh shumë urrejtës. Më shkaktoi dhimbje në stomak".

Guney e ka origjinën në Famagusta, në Qipron e kontrolluar nga Turqia dhe tregon se qyteti i tij ka pasur 48 të vdekur, kryesisht fëmijë.

Ai shtoi: "Ne të gjithë jemi ende në një gjendje shoku dhe pikëllimi. Nuk mund ta kuptoj se si dikush do të merrte kohë nga dita e tij për të formuluar një helm të tillë.

"Mund vetëm të lutem që ky person që ka shkruar këtë letër të ketë mëshirë në shpirtin e tij dhe të mbushet me dashuri dhe dikush ta mësojë të jetë pak njerëzor, me pak më shumë ndjeshmëri dhe mirëkuptim të këtyre rrethanave tragjike që ne po përjetojmë në Turqi dhe Siri."

Policia Metropolitane konfirmoi se një xhami tjetër në Stoke Newington kishte marrë gjithashtu një letër me gjuhë raciste dhe islamofobike.

Policia shtoi se nuk ishte bërë asnjë arrestim, por hetimet ishin në vazhdim, raporton noa.al.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd