Transmetuar më 16-02-2023, 18:30

Kosovë- Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar sot kërkesën e subjektit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të zëvendësuar anëtarët në disa Komisione Parlamentare.

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi është shkarkuar nga të qenit Kryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë. Në vend të tij, është emëruar deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni. Nga 62 vota, 53 ishin pro, as një kundër dhe nëntë abstenime. Ndërkohë, në Komisionin për Stabilizim Asociim, deputeti Haki Abazi është zëvendësuar me deputetin Dimal Basha.

Por ka reaguar menjëherë Haki Abazi. Deputeti i Vetëvendosjes tha se ka video-incizime që dëshmojnë kush i ka zhdukur mostrat e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, tha Abazi, raporton Nacionale.

Sipas tij, pyejet që ka ngritur ai rreth rastit Dehari, kanë bërë që të kërkohet shkarkimi i tij.

“Hulumtimi im, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellur tek shkarkimi dhe anatemomi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor ndaj borxhit që kemi se ka ndodhur me rastin Dehari, si është e mundur në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit, dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme. As si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të tillë, dhe duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë temë. Instituti monitorohet 24 orë nga kamerat dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për Albulena Haxhiun është që të kryejë punën e saj”, deklaroi Haki Abazi.