Transmetuar më 16-02-2023, 16:37

Gjykata e Sarandës ka caktuar pak minuta më parë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 36 vjeçarin Sotir Çabiri të dyshuar si autor të shpërthimit me eksploziv të hotel “Bizanti” në orët e para të mëngjesit të se hënën.

Para trupit gjykues, Cabiri ka vazhduar të mbajë qëndrim mohues duke u shprehur se ndodhej në hotel për të marë dicka që kishte harruar pasi po atë ditë do të shkonte në Angli, ndaj dhe ishte filmuar duke dalë nga objekti 3 minuta para shpërthimit.

Megjithatë gjykata, edhe pse ende nuk ka prova të plota dhe bindëse për autorësinë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg.

Cabiri pritet të transferohet drejt Burgut të Bënçës.

Ndërkohë sot në Sarandë kanë mbërritur inspektorë të IKMT së bashku me një mjet çekiç, për të ndihmuar në pastrimin e vendit të ngjarjes ku prej 4 ditësh ndodhen ekspertë anti-eksplozivë dhe ata të policisë së Sarandës.

Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe nje kallëp tritoli i pashpërthyer, ndërkohë që eskpertët vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se autori ka përdorur 50 kg për shpërthimin.

Sasia më e madhe ishte vendosur në themelet e një depoje ne katin përdhe të hotelit ndërsa pjesa tjetër nëpër kollona dhe për ketë janë hapur vrima me trapan.

Hetimet po vazhdojne intensivisht nga policia dhe prokuroria pasi ende nuk është vërtetuar plotësisht nëse autor real është Cabiri dhë nëse në ngjarje ka vepruar me shumë se një person.