Transmetuar më 16-02-2023, 12:48

Auditimi i brendshëm i kryer nga Federata Franceze e Futbollit (FFF) për akuzat e ngacmimit seksual dhe moral ndaj ish-presidentit Noël le Graët, i shkarkuar përkohësisht nga detyra në mes të janarit, konfirmoi në raportin e tij përfundimtar se ish-presidenti “nuk ka më legjitimitetin e nevojshëm për të menaxhuar dhe përfaqësuar futbollin francez”:

“Prej gati dy vitesh, opinionet e papërshtatshme publike të zotit Le Graët janë shumëfishuar deri në atë pikë sa nuk përputhen me kërkesën e shembullit që pritet nga një president i një federate sportive që përfiton nga një kontratë delegimi me shtetin”, – thotë teksti.

Gjithsesi, “deri më sot nuk është nisur asnjë dosje sanksionimi, – thekson auditi i jashtëm i porositur nga FFF, i cili vijon: – Raporti tregon se këto deklarata të shumta problematike të presidentit të federatës janë të përfshira në aktet e dënueshme të rregullores disiplinore të FFF për sjelljet në kundërshtim me moralin, etikën ose të dëmshme për nderin, për imazhin dhe konsideratën e FFF".

Hetuesit shtojnë se “intervistat e kryera zbuluan sjelljen e papërshtatshme të z.Le Graët ndaj femrave. Hetimi jo vetëm që merr parasysh komentet dhe mesazhet me tekst të z.Le Graët, të paqarta për disa dhe me natyrë të qartë seksuale për të tjerët, por gjithashtu vë në dukje planifikimin e vonuar të dërgesave, natyrën e tyre të përsëritur dhe natyrën e marrësve".

Raporti thekson se "kjo sjellje nuk mund të konsiderohet si respekt për dinjitetin e këtyre njerëzve dhe nuk është në përputhje me detyrimin e shembullit që pritet nga një president i një federate të deleguar".

Së fundi, hetimi fton "autoritetet federale të shqyrtojnë këtë situatë në zbatim të dispozitave ligjore". Kallëzimi do t’i dërgohet Ministrisë së Sporteve, e cila mund të njoftojë Prokurorinë për hapjen e procedimit penal.