Transmetuar më 16-02-2023, 12:25

Dani Alves mbahet në paraburgim pa kusht që nga 20 janari, pasi u akuzua për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në klubin e natës “Sutton” të Barcelonës natën e 30 dhjetorit.

Seksioni i tretë i Gjykatës së Barcelonës do të prononcohet sot. Mbrojtja kërkon lirimin e lojtarit, ndërsa Prokuroria Publike dhe ajo private shpresojnë që ai të mbetet pas hekurave.

Çfarë ndodhi në disko? Ish-mbrojtësi i Barcelonës, PSG-së dhe Juventusit ka rrëfyer se ka pasur marrëdhënie seksuale me 23-vjeçaren, pasi e ka mohuar këtë në deponimet e para.

Një gënjeshtër e thënë për të fshehur tradhtinë ndaj gruas së tij dhe për të shpëtuar martesën (Joana Sanz ka bërë kërkesë për divorc). Fillimisht kishte siguruar se e njihte “viktimën”, më pas ndryshoi krejtësisht versionin, duke pranuar se kishte një marrëdhënie konsensuale me të.

“El Periodico” ka publikuar sot disa detaje nga përdhunimi dhe momentet e mëpasshme. Dani Alves kishte kaluar 16 minuta në banjë me vajzën, pastaj ishte filmuar nga kamera duke injoruar “viktimën”, e cila qante me dënesë, e ngushëlluar nga miqtë e saj dhe nga stafi i diskos. Alves rrezikon një dënim përfundimtar nga 4 deri në 12 vite burg.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd