Transmetuar më 16-02-2023, 11:13

Tiranë- Gjergj Laçi që ngujoi gruan dhe fëmijët për disa vite ka dalë nga burgu. Gjykata e Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e arrestit për 50-vjeçarin duke vendosur masën për mjekim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik.

Laçi kishte ngujuar për plot gjashtë vite me radhë bashkëshorten e tij në zonën e “5 Majit”, teksa prej një viti kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lejuar të nisnin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare.

Edhe vetë Laçi dilte nga shtëpia zakonisht vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për tu falur, ndërsa në momentin e arrestimit iu gjetën disa libra fetarë, si dhe armë të ndryshme të ftohta. 50-vjeçari dhe familja e tij jetonin në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Atyre u ishte ndërprerë edhe energjia elektrike, pasi nuk kishin paguar faturat, ndërkohë që Laçi e kishte mbuluar pjesën e jashtme të banesës me çarçafë për të shmangur çdo kontakt të familjes me botën e jashtme. Ai nuk ishte i panjohur për policinë.

Gjergj Laçi është arrestuar edhe një herë në vitin 2013, pasi po te zona e “5 Majit” qëlloi me breshëri kallashnikovi në ajër, duke trembur banorët përreth. Pas operacionit të zhvilluar në banesën e tij, u gjetën dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë, që i kishte groposur në oborrin e shtëpisë.

Mbetet për tu parë nëse Gjergj Laçi ka vërtet probleme të rënda shëndetësore, por nëse kjo është një lëvizje për ta çuar atë drejt lirimit të plotë pas vetëm pak muajsh nga arrestimi i tij, ky është një kërcënim i hapur për djemtë dhe gruan e tij, si dhe një tjetër shenjë “vdekjeje” e drejtësisë.