Transmetuar më 15-02-2023, 21:36

Qipro- Ngordhje misterioze e disa balenave në brigjet veriore të Qipros javën e kaluar, mund të ketë lidhje me tërmetet masive në Turqinë dhe Sirinë fqinje.

Gjashtë balena të tjera u gjetën të ngordhura ditën e premte, midis Polis dhe Pachyammos.

Por a ka lidhje kjo ngjarje me tërmetet në Siri dhe Turqi?

Balenat përdorin tingujt nënujor si mënyrën e tyre kryesore për të komunikuar dhe vlerësuar mjedisin e tyre. Zhurma e oqeanit mund të ndikojë në aftësinë e balenave që zhyten thellë për të lundruar, për të gjetur ushqim dhe për të shmangur grabitqarët. Mendohet se dridhjet sizmike nga tërmetet e fundit në Turqi dhe Siri mund të kenë çorientuar balenat.

"Këto kafshë kanë një sistem ekolokimi i cili ndikohet nga zhurma e detit. Mund të jenë ushtrime ushtarake, stërvitje sizmike ose natyrisht tërmeti në rajon." tha për Sigma TV në Qipro, Yiannis Loannou nga departamenti i peshkimit dhe kërkimit detar.

Tërmetet e së hënës së kaluar në Turqi dhe Siri, të cilët kanë vrarë dhjetëra mijëra njerëz, janë ndjerë edhe në ishullin lindor të Mesdheut.