Transmetuar më 16-02-2023, 08:15

Gerard Pique e ka pranuar se, deri më sot, nuk e ka uruar ende Leo Messin për fitimin e Kupës së Botës. Ish-qendërmbrojtësi blaugrana, në një intervistë për tiktokerin John Nellis, shpjegoi se pas "pensionimit" i duhej të shkëputej totalisht nga bota e futbollit:

"Pas daljes në pension (tërheqjes nga futbolli) doja të shkëputesha plotësisht. Shkova me pushime, sepse muajt e fundit si futbollist ishin shumë të vështirë. Nuk pashë asnjë ndeshje të Kupës së Botës, ndoqa vetëm një pjesë të finales".

Duhet mbajtur mend se ish-lojtari i dha fund fazës së tij aktive duke përfituar nga pushimi për shkak të angazhimit të kombëtare në Katar 2022. Pavarësisht se ende nuk e ka uruar, Pique e ka vlerësuar argjentinasin dhe e ka zgjedhur si sulmuesin më të mirë.

Një listë që u plotësua me Iker Casillas, në kategorinë e portierëve, Puyol, si mbrojtës dhe Cesc Fábregas, si mesfushor. Së fundi, katalanasi i është referuar luftës së vazhdueshme mes Cristiano Ronaldos dhe yllit argjentinas:

"Vitet e fundit do të zgjidhja me siguri Messin. Ai tregoi se edhe në moshën 35-vjeçare mund të konkurrojë. Messi është lojtari më i mirë në botë dhe e tregoi këtë në Kupën e Botës".