Transmetuar më 15-02-2023, 14:11

Këshilli i FIFA-s ka përcaktuar procedurat e pjesëmarrjes në Botërorin për Klube, në versionin e ri të zgjeruar me 32 skuadra, që do të luhet nga viti 2025: 4 vende nga konfederata afrikane, 4 nga Azia, 4 nga ‘Concacaf’, 1 nga Oqeania, 6 nga ‘Conmebol’ të Amerikës së Jugut, 12 nga UEFA.

Datat janë qershor-korrik, pra si ato (duke përjashtuar Katarin 2022) të Kupës së Botës për ekipet kombëtare. Formula duhet të përfshijë 8 grupe me nga 4 skuadra dhe më pas eliminimin direkt, duke filluar nga 1/8 finale.

Gjithashtu, Këshilli i FIFA-s miratoi raportin e tij vjetor 2022, i cili nxjerr në pah të ardhurat rekord të prej 7.6 miliardë dollarësh gjatë periudhës 2019-2022 dhe 11 miliardë dollarë që pritet të sigurohen gjatë periudhës 2023-2026.

"Investimi i paprecedentë i FIFA-s në futboll është rezultat i transparencës sonë të fortë financiare dhe përfaqëson një shembull konkret se si ne synojmë ta bëjmë futbollin vërtetë global, – tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

– Suksesi i jashtëzakonshëm i Kupës së Botës në Katar ka qenë i rëndësishëm mbi aftësinë e organizatës për të përmbushur misionin e saj në lidhje me shoqatat tona anëtare dhe botën e futbollit, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat jemi përballur gjatë ciklit të kaluar, jo më pak me pandeminë Covid 19".