Transmetuar më 15-02-2023, 09:16

"Ishte një ndeshje e vështirë,  e prisnim. Ne bëmë atë që duhej të bënim, me vendosmëri dhe shumë punë ekipore". Stefano Pioli duartroket Milanin e tij, pas fitores 1-0 ndaj Tottenhamit në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

"Pashë punën e bërë në fushë gjatë javës, – vazhdoi trajneri i kuqezinjve. – Ne punuam mirë si ekip, mund t’i kishim bërë disa pasime më pak prapa. Djemtë punuan me angazhim dhe kompaktësi të madhe. Ishte një ndeshje e luftuar me shumë aspekte.

Ne mund të kishim shënuar më shumë gola me De Ketelaere dhe Thiaw, por ata gjithashtu na vunë në vështirësi, veçanërisht nga goditjet standarte".

"Sot ishte vetëm ndeshja e parë, – tha sërish Pioli. – Kthimi do të jetë edhe më i vështirë. Është një paraqitje që do të na japë moral, por duhet të vazhdojmë të jemi ekip energjik. Kemi pasur një muaj të vështirë, jemi duke u përpjekur t’i kapërcejmë këto vështirësi. Gjithmonë e kam bindjen e plotë se jam trajner i një grupi të veçantë".

Për gjendjen e Tomorit: “Një ditë para ndeshjes ishte mirë, ndërsa mëngjesin e së martës tha se kishte ende problem me zonën e dëmtuar dhe kështu nuk e rrezikuam”.